Seritë e Traktatit të Këshillit të Evropës – nr. 207

Protokoll shtesë i

Kartës Evropiane të

Vetëqeverisjes Vendore

për të drejtën për pjesëmarrje

në punët e një organi vendor

Utreht, 16. XI. 2009


                   Preambula

                   Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, nënshkruese të këtij Protokolli Shtesë të Kartës Evropiane të Vetëqeverisjes Vendore (më poshtë “Karta”, ETS nr. 122),

                   Duke ditur që qëllimi i Këshillit të Evropës është të arrijë më shumë unitet ndërmjet anëtarëve të saj me qëllimin e garantimit dhe realizimit të ideve dhe të parimeve që janë trashëgimia jonë e përbashkët;

                   Duke ditur që e drejta për pjesëmarrje në kryerjen e punëve publike është një ndër parimet demokratike të përbashkëta për të gjithë shtetet anëtare të Këshillit të Evropës;

                   Duke ditur që zhvillimi në shtetet anëtare ka dëshmuar rëndësinë e jashtëzakonshme të këtij parimi për qeverisjen vendore;

                   Duke qenë të mendimit se është me vend që Karta të shtohet me dispozita të cilat garantojnë të drejtën për pjesëmarrje në punët e një organi vendor;

                   Duke pasur parasysh Konventën e Këshillit të Evropës për Akses në Dokumentet Zyrtare, miratuar nga Komiteti i Ministrave më 27 nëntor 2008;

                   Duke pasur po ashtu parasysh Deklaratën dhe Planin e Veprimit të miratuar në Samitin e 3-të të Krerëve të Shteteve të Këshillit të Evropës (Varshavë, 16 deri më 17 maj 2005),

                   Bien dakord si më poshtë:

                   Neni 1 E drejta për pjesëmarrje në punët e një organi vendor

         1        Shtetet palë sigurohen se gjithkush brenda juridiksionit të tyre gëzon të drejtën e pjesëmarrjes në punët e një organi vendor.

         2        E drejta e pjesëmarrjes në punët e një organi vendor nënkupton të drejtën për të kërkuar të përcaktosh ose të kesh ndikim mbi ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive të një organi vendor.

         3        Ligji parashikon mjetet e lehtësimit të ushtrimit të kësaj të drejte. Pa diskriminuar padrejtësisht asnjë person ose grup, ligji mund të parashikojë masa të posaçme për rrethana ose kategori të ndryshme personash. Në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe/ose ndërkombëtare të shtetit palë, ligji mund të parashikojë në veçanti masa të cilat kufizohen posaçërisht për votuesit.

         4.1     Çdo palë njeh, me anë të ligjit, të drejtat e nënshtetasve të saj për pjesëmarrje qoftë si votues ose si kandidatë në zgjedhjet për anëtarët e këshillit, ose të asamblesë së organit vendor ku ata jetojnë. 

         4.2     Ligji njeh po ashtu të drejtën e personave të tjerë për pjesëmarrje atëherë kur pala vendos për të në përputhje me rendin e saj kushtetues, ose kur kjo e drejtë për pjesëmarrje përkon me detyrimet ligjore ndërkombëtare të saj.

         5.1     Të gjitha formalitetet, kushtet ose kufizimet në të drejtën për pjesëmarrje në punët e një organi vendos parashikohen në ligj dhe janë në përputhje me detyrimet ligjore ndërkombëtare të palës.

         5.2     Ligji i parashikon këto formalitete, kushte ose kufizime sipas nevojës, për të siguruar moscenimin e integritetit etik dhe transparencën e ushtrimit të kompetencave dhe përgjegjësive të organeve vendore nga ushtrimi i së drejtës për pjesëmarrje.

         5.3     Çdo formalitet, kusht ose kufizim tjetër duhet të jetë i nevojshëm për funksionimin e një demokracie efektive politike, për ruajtjen e sigurisë publike në një shtet demokratik, ose për plotësimin e kërkesave që rrjedhin për përmbushjen e detyrimeve ligjore ndërkombëtare për shtetin palë.

                   Neni 2 Zbatimi i masave për të drejtën për pjesëmarrje

         1        Palët marrin të gjitha masat e nevojshme për të vënë në jetë të drejtën e pjesëmarrjes në punët e organit vendor.

         2        Këto masa për ushtrimin e së drejtës për pjesëmarrje përfshijnë:

                   i        fuqizimin e organeve vendore për të bërë të mundur, nxitur dhe lehtësuar ushtrimin e së drejtës për pjesëmarrje, siç parashikohet në këtë Protokoll;

                   ii       sigurimin e përcaktimit të:

                            a       procedurave për përfshirjen e njerëzve, të cilat mund të përfshijnë proceset konsultative, referendumet dhe peticionet vendore dhe masa për përfshirjen e njerëzve në një nivel që është më pranë tyre në rast se organi lokal ka shumë banorë dhe/ose mbulon një zonë të madhe gjeografike;

                            b       procedurave për akses në dokumentet zyrtare të mbajtura nga organet lokale, në përputhje me rendin kushtetues të palës dhe me detyrimet ligjore ndërkombëtare të saj;

                            c        masave për plotësimin e nevojave të kategorive të personave të cilët hasen me vështirësi specifike lidhur me pjesëmarrjen; dhe

                            d       mekanizmave dhe procedurave për të trajtuar dhe për t’ju përgjigjur ankesave dhe sugjerimeve lidhur me funksionimin e organeve vendore dhe shërbimet publike vendore; 

                   iii      inkurajimin e përdorimit të teknologjive të informacionit dhe komunikimit për nxitjen dhe ushtrimin e të drejtës për pjesëmarrje, të parashikuar në këtë Protokoll.

         3        Procedurat, masat dhe mekanizmat mund të jenë të ndryshme për kategori të ndryshme të organeve vendore, duke pasur parasysh madhësinë dhe kompetencat e tyre.

         4        Gjatë proceseve të planifikimit dhe të vendimmarrjes lidhur me masat që duhet ndërmarrë për të bërë të mundur ushtrimin e së drejtës për pjesëmarrje në punët e një organi vendor, organet vendore konsultohen sa më shumë të jetë e mundur në kohën e duhur dhe në mënyrën e përshtatshme.

                   Neni 3 Organet mbi të cilat zbatohet Protokolli

                   Ky Protokoll zbatohet për të gjitha kategoritë e organeve vendore që ekzistojnë brenda territorit të shteteve palë. Pavarësisht nga kjo, gjatë depozitimit të instrumentit të tij të ratifikimit, pranimit ose miratimit, çdo shtet mund të specifikojë kategoritë e organeve lokale dhe rajonale të cilat ai synon të përjashtojë nga zbatimi i këtij Protokolli. Po ashtu, çdo shtet mund të përfshijë kategori të tjera të organeve lokale ose rajonale brenda objektit të zbatimit të Protokollit, pas njoftimit përkatës të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës.

                   Neni 4 Zbatimi territorial

         1        Në kohën e nënshkrimit, ose gjatë depozitimit të instrumentit të tij të ratifikimit, pranimit ose miratimit, çdo shtet specifikon territorin ose territoret mbi të cilat zbatohet ky Protokoll.

         2        Çdo palë mund të shtrijë zbatimin e këtij Protokolli, nëpërmjet një deklarate drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, në çdo territor tjetër të përmendur në këtë deklaratë në çdo kohë tjetër të mëvonshme. Për këta territore, Protokolli hyn në fuqi ditën e parë të muajit pas përfundimit të periudhës prej tre muajsh nga data e marrjes së kësaj deklarate nga Sekretari i Përgjithshëm.

         3        Çdo deklaratë e bërë në përputhje me dispozitat e dy paragrafëve më lart mund të tërhiqet me anë të një njoftimi drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës në lidhje me territorin e specifikuar në këtë deklaratë. Tërheqja hyn në fuqi ditën e parë të muajit pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore nga data e marrjes së këtij njoftimi nga Sekretari i Përgjithshëm.

                   Neni 5 – Nënshkrimi dhe hyrja në fuqi

1         Ky Protokoll është i hapur për nënshkrim nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës nënshkruese të Kartës. Ai është objekt ratifikimi, pranimi ose miratimi. Një shtet anëtar i Këshillit të Evropës mund të ratifikojë, pranojë ose miratojë këtë Protokoll vetëm nëse ai e ka ratifikuar, pranuar ose miratuar Kartës ose në të njëjtën kohë, ose më parë. Instrumentet e ratifikimit, pranimit ose miratimit depozitohen tek Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës.

         2        Ky Protokoll hyn në fuqi në ditën e parë të muajit pas përfundimit të afatit tremujor nga data në të cilën tetë shtete anëtare të Këshillit të Evropës kanë shprehur pëlqimin e tyre për të zbatuar Protokollin në përputhje me dispozitat e paragrafit 1.

         3        Në lidhje me shtetet anëtarë të cilat shprehin pëlqimin për të zbatuar Protokollin më pas, Protokolli hyn në fuqi ditën e parë të muajit pas përfundimit të periudhës tremujore nga data e depozitimit të instrumentit të ratifikimit, pranimit ose miratimit.

                   Neni 6 Denoncimi

         1        Çdo palë mund ta denoncojë këtë Protokoll në çdo kohë me anë të një njoftimi që i dërgohet Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës.

         2        Ky denoncim hyn në fuqi ditën e parë të muajit pas përfundimit të afatit prej gjashtë muajsh nga data e marrjes së njoftimit nga Sekretari i Përgjithshëm.

                   Neni 7 – Njoftimet

                   Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës njofton çdo shtet anëtar të Këshillit të Evropës për:

                   a       çdo nënshkrim;

                   b       depozitimin e çdo instrumenti ratifikimi, pranimi ose miratimi;

                   c        datën e hyrjes në fuqi të këtij Protokolli, në përputhje me dispozitën e Nenit 5;

                   d       çdo njoftim të marrë në zbatim të dispozitave të Nenit 3;

                   e        çdo akt, njoftim ose komunikim tjetër të lidhur me këtë Protokoll.

                   Protokolli nënshkruhet në prani të nënshkruesve, të autorizuar zyrtarisht për nënshkrimin e këtij dokumenti.

                   Nënshkruar në Utreht, më 16 nëntor 2009, në versionin në anglisht dhe në frëngjisht, ku tekstet në të dyja gjuhët janë të barazvlefshme, në një kopje të vetme, e cila depozitohet në arkivat e Këshillit të Evropës. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës i jep një kopje të noterizuar secilit nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës.