KARTA EUROPIANE

E AUTONOMISË VENDORE

 

 

HYRJE

            Shtetet anëtare të Këshillit të Europës, nënshkruese të kësaj Karte,

            Duke vlerësuar se qëllimi i Këshillit të Europës është realizimi i një bashkimi me të ngushtë midis anëtarëve të tij për të ruajtur dhe zhvilluar idealet dhe parimet që janë pasuria e tyre e përbashkët;

Duke  vlerësuar se një nga mjetet për realizimin e këtij qëllimi është përfundimi i marrëveshjeve në fushën administrative;

Duke vlerësuar se bashkësitë lokale janë një nga themelet kryesore të çdo regjimi demokratik;

Duke vlerësuar se e drejta e qytetarëve për të marrë pjesë në drejtimin e çështjeve publike bën pjesë në parimet demokratike të përbashkëta për të gjitha shtetet anëtare të Këshillit të Europës;

Të bindur se në nivelin vendor kjo e drejtë mund të ushtrohet në mënyrë më të drejtpërdrejtë;

Të bindur se ekzistenca e bashkësive vendore të veshura me përgjegjësi efektive mundëson një drejtim njëherazi efikas e nga afër të qytetarit;

Të ndërgjegjshëm se mbrojtja dhe forcimi i autonomisë vendore në vende të ndryshme  të Europës përbën një ndihmesë të rëndësishme në ndërtimin e një Europe të bazuar në parimet e demokracisë e të decentralizimit të pushtetit:

Duke pranuar se kjo nënkupton ekzistencën e bashkësive vendore të pajisura me organe vendimore të formuar në mënyrë demokratike dhe që gëzojnë një autonomi të gjerë përsa u përket kompetencave, mënyrave të ushtrimit të këtyre të fundit dhe mjeteve të nevojshme për përmbushjen e misionit të tyre;

Ranë dakord për sa më poshtë:

Neni 1

            Palët angazhohen ta konsiderojnë njëra-tjetrën si të lidhura nga nenet që vijojnë, sipas mënyrës dhe në masën e udhëzuar nga neni 12 i kësaj Karte.

PJESA I

Neni 2

 

Themeli kushtetues e ligjor i autonomisë vendore

Parimi i autonomisë vendore duhet të njihet në legjislacionin e brendshëm  dhe, po të jetë e mundur, nga Kushtetuta.

Neni 3

 

Koncepti i autonomisë vendore

1. Me autonomi vendore kuptohet e drejta dhe aftësia efektive e bashkësive vendore për të rregulluar e për të drejtuar, brenda ligjit, nën përgjegjësinë e tyre dhe në të mirë të popullsive të tyre, një pjese të mirë të çështjeve publike.

2. Kjo e drejtë ushtrohet nga këshillat apo asambletë e përbëra nga anëtarë të zgjedhur me votim të lirë, të fshehtë, të barabartë, të drejtpërdrejtë e universal dhe që mund të kenë organe ekzekutive përgjegjës para tyre. Kjo dispozitë nuk i pengon qytetarët të mblidhen në kuvende, referendume apo çdo formë tjetër të pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të tyre aty ku lejohet nga ligji.

Neni 4

 

Rëndësia e autonomisë vendore

            1. Kompetencat bazë të bashkësisë vendore caktohen nga Kushtetuta ose nga ligji. Megjithatë kjo dispozitë nuk i pengon bashkësitë vendore të marrin kompetenca me qëllime të posaçme, në përputhje me ligjin.

            2. Bashkësitë vendore gëzojnë, brenda ligjit, liri të plotë për të ushtruar iniciativën e tyre për çdo çështje që nuk është jashtë kompetencës së tyre apo që mund t'i ketë kaluar një autoriteti tjetër.

            3. Ushtrimi i përgjegjësive publike duhet, në mënyrë të përgjithshme, t'i takojë më tepër autoriteteve më të afërta të qytetarëve. Dhënia e një përgjegjësie një autoriteti tjetër duhet të bëhet duke patur parasysh rëndësinë dhe natyrën e detyrës, si dhe kërkesat e aftësisë e të ekonomisë.

            4. Kompetencat që u besohen bashkësive vendore normalisht duhet të jenë të plota. Ato mund të diskutohen apo të kufizohen nga një autoritet tjetër, qëndror apo rajonal vetëm brenda ligjit.

            5. Në rast se kompetencat i kalojnë një autoriteti qendror apo rajonal, bashkësitë  vendore duhet të gëzojnë, brenda mundësisë, lirinë që ushtrimin e tyre t'ia përshtasin kushteve vendore.

            6. Bashkësive vendore duhet t'u kërkohet mendimi brenda mundësisë në kohën e duhur dhe në mënyrë të përshtatëshme gjatë proceseve të planifikimit e marrjes së vendimeve për të gjitha çështjet që u përkasin drejtpërsëdrejti.

Neni 5

 

Mbrojtja e kufijve territorialë të bashkësive vendore

            Për çdo ndryshim të kufijve territorialë vendorë, bashkësive vendore përkatëse duhet t'u merret mendimi paraprakisht, po qe nevoja, me anë referendumi, aty ku e lejon ligji.

Neni 6

 

Përshtatja e strukturave dhe mjeteve administrative misioneve të bashkësive vendore

            1. Duke ruajtur dispozitat më të përgjithshme, të krijuara nga ligji, bashkësitë vendore mund të përcaktojnë vetë strukturat e brendshme administrative me të cilat duhet të pajisen, me synimin që t'ia përshtasin ato nevojave të tyre specifike dhe të sigurojnë një drejtim efikas.

            2. Statuti i personelit të bashkësive vendore duhet të mundësojë një rekrutim cilësor njerëzish, bazuar në parimet e meritës e të aftësisë; për këtë qëllim ai duhet të përmbledhë kushtet e duhura të formimit, të shpërblimit dhe të perspektivave të profesionit.

Neni 7

 

Kushtet e ushtrimit të përgjegjësive në nivel vendor 

            1. Statuti i të zgjedhurve vendorë duhet të sigurojë ushtrimin e lirë të mandatit të tyre.

            2. Ai duhet të lejojë kompensimin e duhur financiar të shpenzimeve të bëra gjatë ushtrimit të mandatit, si dhe po të jetë e nevojshme, kompensimin financiar të parave të shpenzuara apo një shpërblim të punës së kryer dhe sigurimin social përkatës.

            3. Funksionet dhe veprimtaritë e papajtueshme me mandatin e të zgjedhurit vendor mund të caktohen vetëm me anë të ligjit ose me parime juridike themelore.

Neni 8

 

Kontrolli administrativ i veprimeve të bashkësive vendore

            1. Çdo kontroll administrativ mbi bashkësitë vendore mund të ushtrohet vetëm sipas formave dhe në rastet e parashikuara nga Kushtetuta ose nga ligji.

            2. Çdo kontroll administrativ i veprimeve të bashkësive vendore normalisht duhet të synojë sigurimin e respektimit të ligjshmërisë dhe të parimeve kushtetuese. Kontrolli administrativ mund, megjithatë të kuptojë një kontroll të ushtruar nga autoritete të nivelit më të lartë lidhur me detyrat, zbatimi i të cilave i është kaluar bashkësive vendore.

            3. Kontrolli administrativ i kolektiviteteve vendore duhet të ushtrohet duke respektuar përpjestueshmërinë midis rëndësisë së ndërhyrjes së autoritetit kontrollues dhe rëndësisë së interesave që ai kërkon të mbrojë.

Neni 9

 

Burimet financiare të bashkësive vendore

            1. Bashkësitë vendore kanë të drejtë në kuadrin e politikës ekonomike të vendit, të kenë burimet e tyre të mjaftueshme, të cilat te mund t'i disponojnë lirisht në ushtrimin e kompetencave të tyre.

            2. Burimet financiare të bashkësive vendore duhet të jenë në raport  të drejtë me kompetencat e parashikuara nga Kushtetuta ose nga ligji.

            3. Të paktën një pjesë e burimeve financiare të bashkësive vendore duhet të sigurohen nga detyrimet dhe taksat vendore, përqindjen e të cilave ato kanë fuqi ta caktojnë në kufijtë që u lejon ligji.

            4. Sistemet financiare mbi të cilat mbështeten burimet që disponojnë bashkësitë vendore duhet të jenë të një natyre të sumëllojshme dhe evolutive për t'u dhënë mundësi atyre të ndjekin në praktikë evolucionin real të kostove të ushtrimit të kompetencave të tyre.

            5. Mbrojtja e bashkësive vendore më të dobta nga ana financiare kërkon vendosjen e procedurave të rregullimit financiar apo të masave të duhura që synojnë korrigjimin e efekteve të ndarjes jo të barabartë të burimeve potenciale të financimit si dhe të përgjegjësive që u takojnë. Të tilla procedura apo masa nuk duhet ta zvogëlojnë lirinë e opsionit të bashkësive vendore në fushën e tyre të përgjegjësisë.

            6. Bashkësive vendore duhet t'u kërkohet mendimi në kohën e duhur, mbi mënyrat e përvetësimit të burimeve të rishpërndara.

            7. Brenda mundësive, subvencionet e dhëna bashkësive vendore nuk duhet të përdoren për financime projektesh specifike. Dhënia e subvencioneve nuk duhet të cenojë lirinë themelore të politikës së bashkësive vendore në fushën e tyre të kompetencës.

            8. Për të financuar shpenzimet e tyre investuese, bashkësitë vendore duhet sipas ligjit, të hyjnë në tregun kombëtar të kapitaleve.

Neni 10

 

E drejta për asosiacion e bashkësive vendore

            1. Bashkësitë vendore kanë të drejtë gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre të bashkëpunojnë dhe, brenda ligjit, të bashkohen me bashkësi të tjera vendore për të realizuar detyrat me interes të përbashkët.

            2. E drejta e bashkësive vendore për të aderuar në një shoqatë për mbrojtjen dhe nxitjen e interesave të tyre të përbashkëta, si dhe e drejta për të aderuar në një shoqatë ndërkombëtare të bashkësive vendore duhet të njihen në çdo shtet.

            3. Në rast nevoje bashkësitë vendore mund, në kushtet e parashikuara nga ligji, të bashkëpunojnë me bashkësi të shteteve të tjera.

Neni 11

 

Mbrojtja ligjore e autonomisë vendore

            Bashkësitë vendore duhet të gëzojnë të drejtën e kërkesës juridiksionale me qëllim që të sigurojnë ushtrimin e lirë të kompetencave të tyre dhe respektimin e parimeve të autonomisë vendore të njohura nga Kushtetuta apo legjislacioni i brendshëm.

PJESA II

 

DISPOZITA TË NDRYSHME

 

Neni 12

 

Angazhime

            1. Çdo palë angazhohet ta konsiderojë veten si të lidhur nga njëzet të paktën prej paragrafëve të pjesës I të Kartës, dhjetë të paktën prej të cilave janë zgjedhur midis paragrafeve që vijojnë:

                        - neni 2,

                        - neni 3, paragrafet 1 dhe 2,

                        - neni 4, paragrafet 1, 2 dhe 4,

                        - neni 5,

                        - neni 7, paragrafi 1,

                        - neni 8, paragrafi 2,

                        - neni 9, paragrafet 1,2 dhe 3,

                        - neni 10, paragrafi 1,

                        - neni 11.

                        2. Çdo shtet  kontraktues, në çastin e depozitimit të instrumentit të tij të ratifikimit, të pranimit ose të aprovimit, i bën të ditur Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës paragrafet e zgjedhur në përputhje me dispozitën e paragrafit 1 të këtij neni.

                        3. Çdo Palë mund, në çdo moment të mëvonshëm, të njoftojë Sekretarin e Përgjithshëm se e konsideron veten si të lidhur nga çdo paragraf tjetër i kësaj Karte, të cilin ajo ende nuk e kishte pranuar në përputhje me dispozitat e paragrafit 1 të këtij neni. Këtë angazhime të mëvonshme do të quhen pjesë përbërëse të ratifikimit, të pranimit apo të aprovimit të Palës që bën njoftimin dhe do të sjellin të njëjtat efekte që nga dita e parë e muajit që vijon mbas skadimit të një periudhe tremujore mbas datës së marrjes së njoftimit nga Sekretari i Përgjithshëm.

Neni 13

 

Bashkësitë për të cilat zbatohet Karta

            Parimet e autonomisë vendore që përmban kjo Kartë zbatohen për të gjitha kategoritë e bashkësive vendore që ekzistojnë në territorin e Palës. Megjithatë, çdo Palë mund në çastin e depozitimit të instrumentit të saj të ratifikimit të pranimit apo të miratimit, të caktojë kategoritë e bashkësive vendore apo krahinore në të cilat ajo mendon ta kufizojë fushën e zbatimit apo që ajo mendon ta kufizojë fushën e zbatimit apo që ajo mendon të përjashtojë nga fusha e zbatimit të kësaj Karte. Ajo mund të përfshijë, gjithashtu, edhe kategori të tjera bashkësish  vendore ose krahinore në fushën e zbatimit të Kartës me anë të një njoftimi të mëvonshëm Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës.

Neni 14

 

Komunikimi i informacioneve

            Çdo Palë i transmeton Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës çdo informacion të nevojshëm lidhur me dispozitat legjislative e masa të tjera që ajo ka marrë me qëllim që t'i përshtatet klauzolave të kësaj Karte.

PJESA III

 

Neni 15

 

Nënshkrimi, ratifikimi, hyrja në fuqi

                        1. Kjo Kartë është e hapur për nënshkrim për shtetet anëtare të Këshillit të Europës. Ajo do të ratifikohet, të pranohet apo të miratohet. Instrumentet e ratifikimit, të pranimit apo të miratimit do të depozitohen pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës.

                        2. Kjo Kartë do të hyjë në fuqi ditën e parë të muajit që vijon mbas skadimit të një periudhe tremujore mbas datës kur katër shtete anëtare të Këshillit të Europës do të kenë shprehur pëlqimin e tyre për t'u lidhur prej Kartës, në përputhje me dispozitat e paragrafit të mëparshëm.

                        3. Për çdo shtet tjetër anëtar që do të shprehë më vonë pëlqimin të lidhet me anë të Kartës, kjo do të hyjë në fuqi ditën e parë të muajit që vijon mbas skadimit te një periudhe tremujore mbas datës së depozitimit të instrumentit të ratifikimit, të pranimit apo  të miratimit.

Neni 16

 

Klauzola territoriale

                        1. Çdo shtet mund, në çastin e nënshkrimit apo depozitimit të instrumentit të tij të ratifikimit, të pranimit, të miratimit apo të aderimit, të caktojë territorin apo territoret për të cilët do të zbatohet kjo Kartë.

                        2. Çdo shtet mund në çdo çast tjetër të mëvonshëm, me anë të një deklarate drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës, ta shtrijë zbatimin e kësaj Karte në çdo territor tjetër të caktuar në deklaratë. Karta do të hyjë në fuqi përkundrejt këtij territori, ditën e parë të muajit që vijon mbas skadimit të një periudhe tremujore mbas datës së pranimit të deklaratës nga Sekretari i Përgjithshëm.

                        3. Çdo deklaratë e bërë në bazë të dy paragrafeve të mëparshëm që ka të bëjë me çdo territor të caktuar në këtë deklaratë, mund të tërhiqet me anë të një njoftimi drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm. Tërheqja hyn në veprim ditën e parë të muajit që vijon mbas skadimit të një periudhe gjashtëmujore mbas datës së marrjes së njoftimit nga Sekretari i Përgjithshëm.

Neni 17

 

Denoncimi

                        1. Asnjë Palë nuk mund ta denoncojë këtë Karte para skadimit të një periudhe pesëvjeçare mbas datës kur Karta ka hyrë në fuqi për sa i përket këtij Pale. Një noftim gjashtë muaj më parë do t'i bëhet Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës. Ky denoncim nuk prek vlefshmërinë e Kartës kundrejt Palëve të tjera, me kusht që numri i tyre të mos jetë asnjëherë më pak se katër.

                        2. Çdo Palë mund, në përputhje me dispozitat e dhëna në paragrafin e mëparshëm, të denoncojë çdo paragraf të pjesës I të Kartës që ajo ka pranuar, me kusht që numri dhe kategoria e paragrafeve të cilëve u përmbahet kjo Kartë të mbeten në përputhje me dispozitat e nenit 12,  paragrafi 1. Çdo Palë që mbas denoncimit të një paragrafi nuk përputhet më me dispozitat e nenit 12, paragrafi 1, do të konsiderohet sikur ka denoncuar vetë Kartën.

Neni 18

 

Njoftime

            Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës u bën të ditur shteteve anëtare të Këshillit:

             a. çdo nënshkrim;

             b. depozitimin e çdo instrumenti ratifikimi, pranimi apo miratimi;

             c. çdo datë të hyrjes në fuqi të kësaj Karte në përputhje me nenin 15 të saj;

             d. çdo njoftim të marrë në zbatim të dispozitave të nenit 12,paragrafet 2 dhe 3;

             e. çdo njoftim të marrë në zbatim të dispozitave të nenit 13;

             f. çdo akt tjetër, njoftim apo komunikim që ka të bëjë me këtë Kartë.