DAJ/DOC (98) 23

Karta europiane

mbi

statutin për gjyqtarët



Veprimtari për zhvillimin dhe konsolidimin

e stabilitetit demokratik

PLANI THEMIS

Projekti Nr. 3

Karta europiane

mbi

statutin për gjyqtarët

dhe

Memorandum shpjegues

Strasburg, 8 - 10 Korrik 1998



PARAFJALË

Veprimtaritë e kryera në Këshillin e Europës prej shumë vitesh tashmë, mbi organizimin e Drejtësisë e në një Shtet demokratik që qeveriset nga shteti ligjor, kanë lejuar që aspektet e ndryshme të çështjes së statusit të gjyqtarëve të adresohen në shumë raste të ndryshme.  Këto mbledhje gjatë viteve të fundit i janë kushtuar rekrutimit, trainimit, karrierës dhe përgjegjësive të gjyqtarëve, si edhe sistemit disiplinor që qeveris ata.  Numri i këtyre mbledhjeve është rritur që nga fundi i viteve tetëdhjetë në sajë të ndryshimeve të thella që kanë ndodhur në Europën Lindore.

Më 1997 u zhvillua ideja për të maksimizuar rezultatet e punës dhe diskutimeve në mënyrë që kësaj pune t’i jepej “shikim” më i mirë dhe mbi të gjitha t’i jepej një impuls i ri përpjekjes së vazhdueshme për të përmirësuar insitucionet ligjore si një element thelbësor për shtetin ligjor.

Nevoja për të hartuar një kartë europiane mbi statutin për gjyqtarët u konfirmua në Korrik 1997, pas një mbledhjeje të parë shumëpalëshe në Strasburg kushtuar Statusit të Gjyqtarëve në Europë.  Pjesëmarrësit në këtë mbledhje erdhën nga 13 vende të Europës Perëndimore, Qendrore dhe Lindore, si edhe nga Shoqata Europiane e Gjyqtarëve (EAJ) dhe Shoqata Europiane e Gjyqtarëve për Demokraci dhe Liri (MEDEL).  Pjesëmarrësit shprehën dëshirën që Këshilli i Europës të jepte kuadrin dhe mbështetjen e nevojshme për përpunimin e Kartës.

Në bazë të këtyre konkluzioneve, Drejtoria e Punëve Juridike u besoi tre ekspertëve nga Franca, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar realizimin e një projekt-karte.

Ky projekt, i krijuar në pranverë 1998, iu paraqit pjesëmarrësve në një mbledhje të dytë shumëpalëshe, të mbajtur gjithashtu në Strasburg më 8-10 Koriik 1998.  Në fund të tre ditëve diskutimesh, teksti, pasi u përmirësua nga një numër amendamentesh, u miratua unanimisht.

Vlera e kësaj Karte nuk është rezultat i një statusi formal, të cilin, në fakt, ajo nuk e ka, por i rëndësisë dhe forcës që autorët e saj synonin t’i jepnin përmbajtjes së saj.  Një njohje tërësore e përmbajtjes së saj dhe një shpërndarje e gjerë Kartës janë thelbësore që të realizohen qëllimet e saj.  Karta u drejtohet gjyqtarëve, juristëve, politikanëve dhe më në përgjithësi kujtdo që është i interesuar për shtetin ligjor dhe demokracinë.



KARTA EUROPIANE MBI STATUTIN PËR GJYQTARËT

            Pjesëmarrësit në mbledhjen shumëpalëshe mbi statutin për gjyqtarët në Europë, organizuar nga Këshilli i Europës, më 8-10 Korrik 1998,

Duke patur parasysh Nenin 6 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, që parashikon se “cilido ka të drejtë për një proces të drejtë gjyqësor brenda një kohe të arsyeshme nga një gjykatë e pavarur dhe e paanëshme e krijuar me ligj”;

Duke patur parasysh Parimet Bazë të Kombeve të Bashkuara mbi Pavarësinë e Gjyqësorit, miratuar nga Asambleja e Përgjithëshme e Kombeve të Bashkuara në Nëntor 1985;

Duke ju referuar Rekomandimit Nr. R (94) 12 të Komitetit të Ministrave të shteteve anëtare mbi pavarësinë, efiçiencën dhe rolin e gjyqtarëve dhe duke i bërë të vetat objektivat që ajo shpreh;

Duke qënë e interesuar të shohë bërjen me efektive të promovimit të pavarësisë gjyqësore, e nevojshme për fuqizimin e epërsisë së të drejtës dhe për mbrojtjen e lirive individuale brenda shteteve demokratike;

Të ndërgjegjshëm për nevojën që dispozitat e llogaritura të sigurojnë garancitë më të mira për kompetencën, pavarësinë dhe paanësinë e gjyqtarëve duhet të specifikohen në një dokument formal të synuar për gjithë shtetet europiane;

Duke dëshiruar të shohin që statutet e gjyqtarëve të Shteteve të ndryshme europiane të marrin parasysh këto dispozita në mënyrë që të sigurohen në terma konkrete niveli më i mirë i garancive;

Kanë miratuar këtë Kartë europiane mbi statutin për gjyqtarët.

1.         PARIME TË PËRGJITHSHME

1.1.      Statuti për gjyqtarët synon që të sigurojë kompetencën, pavarësinë dhe paanësinë që çdo individ pret në mënyrë legjitime nga gjykatat dhe nga çdo gjyqtar/e të cilëve u besohet mbrojtja e të drejtave të individit.  Ai përjashton çdo dispozitë dhe çdo procedurë të një natyre që do të dëmtonte besimin në këtë kompetencë, këtë pavarësi dhe këtë paanësi.  Kjo Kartë pëmban që këtu e mëposhtë dispozitat që mundësojnë më së miri garantimin e arritjeve të atyre objektivave.  Dispozitat e saj synojnë të ngrenë nivelin e garancive në Shtetet e ndryshme europiane.  Ato nuk mund të justifikojnë modifikimet në statutet kombëtare që tentojnë të ulin nivelin e garancive tashmë të arritura në vendet në fjalë.

1.2.      Në çdo Shtet europian, parimet themelore të statutit për gjyqtarët parashtrohen në norma të brendshme në nivelet më të larta, dhe rregullat e tij në norma të paktën të nivelit legjislativ.

1.3       Lidhur me çdo vendim që ndikon në përzgjedhjen, rekrutimin, emërimin, përparimin në karrierë ose pushimin e funksioneve të një gjyqtari/eje, statuti parashikon ndërhyrjen e një autoriteti të pavarur nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ, brenda të cilit të paktën gjysma e atyre që marrin pjesë të jenë gjyqtarë të zgjedhur nga kolegët e tyre, duke ndjekur metoda që garantojnë përfaqësimin më të gjerë të gjyqësorit.

1.4.      Statuti i jep çdo gjyqtari ose gjyqtareje, që konsideron se të drejtat e tij ose të saj sipas statutit, ose më në përgjithësi pavarësia e tij ose e saj, ose ajo e procesit ligjor, kërcënohen ose injorohen në çfarëdo mënyre qoftë, mundësinë që t’i referohet këtij autoriteti të pavarur, i cili ka në dispozicion mjete për t’i rivendosur ato ose për të propozuar rivendosjen e tyre.

1.5.      Gjyqtarët duhet të tregojnë, në kryerjen e detyrave të tyre, disponibilitet, respekt për individët, dhe vigjilencë në ruajtjen e një niveli të lartë kompetence që kërkon gjykimi i çështjeve në çdo rast – gjykime mbi të cilat varen garantimi i të drejtave individuale dhe në ruajtjen e sekretit të informacionit që u besohet atyre përgjatë procesit.

1.6.      Shteti ka detyrën të sigurojë që gjyqtarët të kenë mjetet e nevojshme për të përmbushur detyrat e tyre siç duhet, dhe në veçanti për të trajtuar çështjet brenda një afati të arsyeshëm.

1.7.      Organizatat profesionale të ngritura nga gjyqtarët, në të cilat mund të anëtarësohen lirisht të gjithë gjyqtarët, kontribuojnë dukshëm në mbrojtjen e atyre të drejtave të cilat u janë dhënë atyre nga statuti i tyre, veçanërisht në lidhje me autoritetet dhe organet që janë të përfshirë në vendime që kanë të bëjnë me ta.

1.8.      Gjyqtarët marrin pjesë nëpërmjet përfaqësuesve të tyre dhe organizatave të tyre profesionale në vendime lidhur me administrimin e gjykatave dhe me përcaktimin e mjeteve të tyre, dhe shpërndarjen e tyre në nivel kombëtar dhe lokal.  Ata konsultohen në të njëjtën mënyrë për planet për të modifikuar statutin e tyre dhe për përcaktimin e kushteve të pagesës së tyre dhe të mbrojtjes së tyre sociale.

2.         PËRZGJEDHJA, REKRUTIMI, TRAINIMI FILLESTAR

2.1.      Rregullat e statutit lidhur me përzgjedhjen dhe rekrutimin e gjyqtarëve nga një organ ose juri e pavarur, e bazojnë zgjedhjen e kandidatëve në aftësinë e tyre për të vlerësuar lirisht dhe paanësisht problemet juridike që do t’u paraqiten atyre, dhe të zbatojnë ligjin për to me respekt për dinjitetin e individit.  Statuti përjashton që ndonjë kandidat/e të mënjanohet për arsye të seksit, ose origjinës sociale ose etnike, ose për arsye të mendimeve politike ose filozofike ose bindjeve fetare.

2.2.      Statuti parashikon kushtet që garantojnë, nëpërmjet kërkesave lidhur me kualifikimet arsimore ose përvojën paraprake, aftësinë për ushtrimin specifik të funksioneve gjyqësore.

2.3.      Statuti siguron nëpërmjet trainimit me shpenzimet e Shtetit, përgatitjen e kandidatëve të zgjedhur për të ushtruar efektivisht detyrat gjyqësore.  Autoriteti i përmendur në paragrafin 1.3 këtu me lart, siguron përshtatshmërinë e programeve të trainimit dhe të strukturës që i realizon ato, nën dritën e kërkesave për mendje-gjerësi, kompetencë, paanësi, të cilat janë të lidhura me ushtrimin e detyrave gjyqësore.

3.         EMËRIMI DHE MOSHEQJA

3.1.      Vendimi për të emëruar një kandidat/e të përzgjedhur si gjyqtar/e, dhe për ta caktuar atë në një gjykatë, merret nga autoriteti i pavarur i përmendur në paragrafin 1.3 këtu më lart ose me propozimin e tij, ose rekomandimin e tij ose me miratimin e tij ose pas mendimit të tij.

3.2.      Statuti përcakton rrethanat në të cilat veprimtaritë e mëparëshme të kandidatit/es, ose ato në të cilat janë angazhuar të afërmit e tij/saj, mundet, për arsye të dyshimeve objektive dhe legjitime që ato ngrenë përsa i përket paanësisë dhe pavarësisë së kandidatit/es në fjalë, të përbëjnë një pengesë për caktimin e tij/saj në një gjykatë.

3.3.      Aty ku procedura e rekrutimit parashikon për një afat gjykimi, nevojshmërisht të shkurtër, pas emërimit në pozitën e gjyqtarit/es por përpara konfirmimit të tij/saj përfundimtar, ose kur rekrutimi bëhet për një afat të kufizuar që mund të rinovohet, vendimi për të mos bërë një emërim përfundimtar ose për të mos rinovuar, mund të merret vetëm nga autoriteti i pavarur i përmendur në paragrafin 1.3 këtu më lart, ose me propozimin e tij, ose me rekomandimin e tij ose me miratimin e tij ose pas mendimit të tij.  Dispozitat në pikën 1.4 këtu më lart janë gjithashtu të zbatueshme për një individ të vënë në periudhë prove.

3.4.      Një gjyqtar/e që ka ushtron funksionet në një gjykatë nuk mundet, në parim, të emërohet në një pozitë tjetër gjyqësore ose të caktohet diku tjetër, madje as me ngritje në pozitë, pa patur dhënë lirisht miratimin e tij/saj.  Një përjashtim për këtë parim lejohet vetëm në rastin kur transferimi është i parashikuar dhe është shprehur si sanksion disiplinor, dhe në rastin e një ndryshimi ligjor të sistemit të gjykatës, dhe në rastin e një caktimi të përkohshëm për të forcuar një gjykatë fqinjë, me kohëzgjatjen maksimale të këtij caktimi të kufizuar rigorozisht në statut, pa paragjykim për zbatimin e dispozitave në paragrafin 1.4 këtu më lart.

4.         ZHVILLIMI I KARRIERËS

4.1.      Kur nuk bazohet në vjetërsi, një sistem ngritjeje në pozitë bazohet përjashtimisht mbi cilësitë dhe meritat e vëna re në kryerjen e detyrave të besuara një gjyqtari/eje, me anë të vlerësimeve objektive të kryera nga një ose disa gjyqtarë dhe të diskutuara me gjyqtarin/en në fjalë.  Vendimet për ngritjen në pozitë shpallen pastaj nga autoriteti i përmendur në paragrafin 1.3 këtu më lart ose me propozimin e tij, ose me miratimin e tij.  Gjyqtarët që nuk propozohen lidhur me ngritjen në pozitë duhet të kenë të drejtën të bëjnë një ankesë tek ai autoritet.

4.2.      Gjyqtarët kryejnë lirisht veprimtari jashtë mandatit të tyre gjyqësor, përfshirë ato që janë mishërimi i të drejtave të tyre si qytetarë.  Kjo liri nuk mund të kufizohet veçse në masën që këto verpimtari të jashtme të jenë në mospërputhje me besimin te gjyqtari/ja, ose paanshmërinë ose pavarësinë e tij ose të saj, ose disponibilitetin e tij ose të saj për t’u marrë me kujdes dhe brenda një afati të arsyeshëm me çështjet që i janë vënë përpara.  Ushtrimi i një veprimtarie, përveç atyre letrare ose artistike, që sjell pagesë duhet t’i nënshtrohet një autorizimi paraprak në kushtet e parashikuara në statut. 

4.3.      Gjyqtarët duhet të rezervohen ndaj çdo sjelljeje, veprimi ose shprehjeje të natyrës që mund të ndikojë efektivisht mbi besimin në paanësinë e tyre dhe pavarësinë e tyre.

4.4.      Statuti u garanton gjyqtarëve ruajtjen dhe zgjerimin e njohurive, teknike si edhe shoqërore dhe kulturore, të nevojshme për të kryer detyrat e tyre, nëpërmjet aksesit rregullisht në trainim për të cilin Shteti paguan dhe siguron organizimin duke respektuar kushtet e parashtruara në paragrafin 2.3 këtu më lart.

5.         PËRGJEGJËSIA

5.1.      Moskryerja nga një gjyqtar/e e njerës prej detyrave të tij/saj shprehimisht të përcaktuara në statut, mundet të shkaktojë vetëm një sanksion me vendim, që rezulton pas propozimit, rekomandimit ose me miratimin e një gjykate ose autoriteti të përbërë nga të paktën gjysma gjyqtarë të zgjedhur, brenda kuadrit të procedurave të një natyre që përmban dëgjimin e plotë të palëve, në të cilat gjyqtari/ja kundër të cilit/ës procedohet duhet të ketë të drejtën e përfaqësimit.  Shkalla e sanksioneve që mund të vendosen parashikohet në statut, dhe vendosja e tyre i nënshtrohet parimit të përpjestueshmërisë.  Vendimi i një autoriteti ekzekutiv ose i një gjykate, ose i një autoriteti që shpall një sanksion, siç parashikohet këtu, është i hapur për ankim në një autoritet më të lartë gjyqësor.

5.2.      Kompensimi për dëm të vuajtur gabimisht si rezultat i vendimit ose i sjelljes së një gjyqtari/eje në ushtrimin e detyrave të tij/saj garantohet nga Shteti.  Statuti mund të parashikojë që Shteti të ketë mundësinë e aplikimit, brenda një afati të caktuar, për rimbursim nga një gjyqtar/e me anë të procedimit gjyqësor në rastin e një shkeljeje të madhe dhe të pafalshme të rregullave që qeverisin kryerjen e detyrave gjyqësore.  Paraqitja e pretendimit në gjykatën kompetente duhet të jetë tema e një marrëveshjeje paraprake me autoritetin e përmendur në paragrafin 1.3 këtu më lart.

5.3.      Çdo individ duhet të ketë mundësinë që t’i paraqesë, pa formalitete specifike, një autoriteti të pavarur një ankesë lidhur me keqadministrimin e drejtësisë në një çështje të caktuar.  Në se një shqyrtim i kujdesshëm dhe rigoroz e bën moskryerjen, siç parashikohet në pikën 5.1 këtu më lart, nga ana e gjyqtarit që të duket padiskutim qartë, ky autoritet ka kompetencën, t’ja referojë problemin organit disiplinor, ose të paktën fare t’i rekomandojë autoritetit normalisht kompetent, në përputhje me statutin, që ta bëjë një referim të tillë.

6.         PAGA DHE MBROJTJA SOCIALE

6.1.      Gjyqtarët që ushtrojnë funksione gjyqësore në pozitë profesionale kanë të drejtë për pagë, niveli i të cilës fiksohet që t’i mbrojë ata nga presionet, që synojnë të influencojnë vendimet e tyre, dhe më në përgjithësi sjelljen e tyre brenda juridiksionit të tyre, dhe kështu të dëmtojnë pavarësinë dhe paanësinë e tyre.

6.2.      Paga mund të varet nga vjetërsia në shërbim, natyra e detyrave që u ngarkohen gjyqtarëve që të kryejnë në pozitën profesionale, dhe rëndësia e punëve që u imponohen atyre, të vlerësuara në kushte të transparencës.

6.3.      Statuti parashikon garanci për gjyqtarët që veprojnë në pozitë profesionale kundër rreziqeve sociale lidhur me sëmundje, barrëlindje, invaliditet, moshë e vjetër dhe vdekje.

6.4.      Në veçanti statuti siguron që gjyqtarëve që kanë arritur moshën ligjore për pension të gjyqësorit, pasi të kenë ushtruar detyrat e tyre gjyqësore për një afat të caktuar, u paguhet pension pleqërie, niveli i të cilit duhet të jetë sa më pranë të jetë e mundur me atë të pagës së tyre të fundit si gjyqtar/e.

7.         PUSHIMI I FUNKSIONEVE

7.1.      Një gjyqtar/e pushon përfundimisht së ushtruari funksionet nëpërmjet dorëheqjes, vërtetimit mjekësor të paaftësisë fizike, arritjes së kufirit të moshës, përfundimit të afatit të caktuar ligjor ose shkarkimit të shpallur në kuadrin e një procedure të tillë siç parashikohet në paragrafin 5.1 këtu më lart.

7.2.      Ndodhja e njërit nga shkaqet e parashikuara në paragrafin 7.1 këtu më lart, përveç arritjes së kufirit të moshës ose përfundimi i një funksioni me afat të caktuar, duhet të verifikohet nga autoriteti i përmendur në paragrafin 1.3 këtu më lart.


MEMORANDUM SHPJEGUES

PËR

KARTËN EUROPIANE

MBI STATUTIN PËR GJYQTARËT

1.         PARIME TË PËRGJITHSHME

            Dispozitat e Kartës Europiane nuk mbulojnë vetëm gjyqtarët profesionistë por edhe ata jo-profesionistë, sepse është e rëndësishme që të gjithë gyqtarët të gëzojnë disa garanci lidhur me rekrutimin e tyre, me mospërputhshmëritë, me sjelljen jashtë dhe pushimin e funksionit të tyre.

            Sidoqoftë, Karta vendos gjithashtu dispozita specifike për gjyqtarët profesionistë dhe në fakt kjo specifikë është e vetvetishme në disa koncepte të tilla si karriera.

            Dispozitat e Kartës kanë të bëjnë me statutin për gjyqtarët e të gjitha juridiksioneve në të cilat njerëzit ftohen të paraqesin çështjet e tyre ose në të cilat bëhen kërkesa për të vendosur çështjet e tyre, qofshin ato civile, penale, administrative ose të ndonjë juridiksioni tjetër.

1.1       Karta përpiqet të përcaktojë përmbajtjen e statutit për gjyqtarë në bazë të objektivave që do të arrihen: të sigurojë kompetencën, pavarësinë dhe paanësinë të cilat të gjithë njerëzit kanë të drejtë të presin nga gjykatat dhe gjyqtarët, të cilëve u është besuar mbrojtja e të drejtave të tyre.  Karta nuk është pra një qëllim në vetvete por më shumë një mjet për të siguruar që individët, të drejtat e të cilëve duhet të mbrohen nga gjykatat dhe gjyqtarët, kanë garancitë e nevojshme për efektivitetin e kësaj mbrojtjeje.

            Këto garanci mbi të drejtat e individëve sigurohen nga kompetenca gjyqësore, në kuptimin e aftësisë, pavarësisë dhe paanësisë.  Këto janë referenca pohuese sepse statuti i gjyqatarëve duhet të përpiqet t’i garantojë ato; sidoqoftë ato janë gjithashtu edhe mohuese sepse statuti nuk duhet të përfshijë asnjë element i cili mund të ndikojë keq mbi besimin e publikut në këtë kompetencë, pavarësi dhe paanësi.

            U ngrit problemi në se dispozitat e Kartës duhet të jenë detyruese, d.m.th. në se duhet të bëhet e detyrueshme që ato të përfshihen në statutet kombëtare rregulluese për gjyqësorin, ose ato duhet të kenë fuqinë e rekomandimeve, në mënyrë që dispozita të ndryshme, që mendohen të afta për të siguruar garanci të barasvlerëshme, të zbatohen në vend të tyre.

            Përqasja e fundit mund të justifikohej nga një mosdëshirë për të kritikuar sistemet kombëtare në të cilat një praktikë afatgjatë, e mirë-vendosur ka siguruar garanci efektive për një mbrojtje statutore të gjyqësorit, edhe në se sistemi veçse sa e përmend një mbrojtje të tillë.

            Sidoqoftë, është argumentuar se në një numër të mirë vendesh, duke përfshirë Shtetet e reja anëtare të Këshillit të Europës, të cilat nuk rregullojnë ushtrimin nga autoritetet politike të kompetencave në fushën e emërimit, caktimit, ngritjes në pozitë ose shkarkimit të gjyqtarëve, garancitë për kompetencën, pavarësinë dhe paanësinë janë jo efektive.

            Ja përse, ndonëse dispozitat e Kartës nuk janë faktikisht detyruese, ato paraqiten si të jenë mjeti optimal për të siguruar që të arrihen objektivat e pëmendura më lart.

 

            Shumë nga dispozitat e Kartës janë të pazbatueshme në sisteme ku gjyqtarët zgjidhen direkt nga shtetasit.  Do të ishte e pamundur të hartohej një Kartë që të përmbante përjashtimisht dispozita në përputhje me këto sisteme me zgjedhje, meqenëse kjo do ta kishte ulur tekstin në nivelin e emëruesit më të vogël të përbashkët.  Karta nuk synon gjithashtu as të “zhvlerësojë” sistemet me zgjedhje, sepse, aty ku ekzistojnë, ato mund të konsiderohen nga shtetasit e vendeve në fjalë si “thelbësisht demokratike”.  Ne mund të konsiderojmë që dispozitat zbatohen për aq sa është e mundur në sistemet ku gjyqësori zgjidhet.  Për shembull, dispozitat e parashikuara në paragrafet 2.2 dhe 2.3 (fjalia e parë) janë me siguri të zbatueshme në këto sisteme, për të cilat ato japin garanci shumë të përshtatëshme.

            Dispozitat e kartës synojnë të ngrenë nivelin e garancive në Shtetet e ndryshme të Europës.  Rëndësia e kësaj ngritjeje do të varet nga niveli tashmë i arritur në një vend.  Por dispozitat e Kartës nuk duhet në asnjë mënyrë të shërbejnë si bazë për të modifikuar statutet kombëtare në mënyrë që, në të kundërt, të ulin nivelin e garancive tashmë të arritura në cilindo vend.

1.2       Parimet themelore që përbëjnë një statut për gjyqtarët, që përcaktojnë garancitë për kompetencën, pavarësinë dhe paanësinë e gjyqtarëve dhe gjykatave, duhet të ratifikohen në rregulla normative në nivelet më të larta, d.m.th. në Kushtetutë, në rastet e Shteteve të Europës që kanë vendosur një tekst të tillë bazë.  Rregullat e përfshira në statut normalisht do të ratifikohen në nivel legjislativ, i cili është gjithashtu niveli më i lartë në Shtetet me kushtetuta fleksibël.

            Kërkesa për të mishëruar parimet dhe rregullat themelore në legjislacion ose Kushtetutë mbron këtë të fundit nga ndryshimi me një procedurë të përshpejtuar të papërshtëshme për çështjet në fjalë.  Në veçanti ajo parandalon miratimin legjislacionit që synon ose ka efektin që të shkelë ato.

            Duke parashikuar që këto parime duhet të përfshihen në sistemet e brendshme ligjore, Karta nuk paragjykon respektin që meritojnë nën këto sisteme dispozitat mbrojtëse të parashikuara në instrumentet ndërkombëtare detyruese për Shtetet europiane.  Kjo është veçanërisht e vërtetë sepse Karta merr më kryesoret ndër ato dispozita si burim frymëzimi, siç thuhet edhe në hyrje.

1.3       Karta parashikon ndërhyrjen e një organi të pavarur nga ekzekutivi dhe legjislativi atëherë kur kërkohet një vendim përzgjedhjen, rekrutimin ose emërimin e gjyqtarëve, zhvillimin e karrierës së tyre ose pushimin e funksionit të tyre.

            Fjalëzimi i kësaj dispozite synon të mbulojë një gamë situatash, që janë nga dhënia e këshillës një organi ekzekutiv ose legjislativ deri në vetë vendimet prej organit të pavarur.

            Duhen patur parasysh këtu disa ndryshime në sitemet kombëtare.  Disa vende do ta kishin të vështirë të pranonin që një organ i pavarur të zëvendësonte një organ politik përgjegjës për emërimet.  Sidoqoftë, kërkesa në këto raste për të marrë të paktën rekomandimin ose mendimin e një organi të pavarur nuk mund të mos jetë një nxitës i madh, në mos praktikisht një detyrim, për organin politik përgjegjës për emërimet.  Në frymën e Kartës, rekomandimet dhe mendimet e organit të pavarur nuk përbëjnë garanci që ato në përgjithësi do të zbatohen në praktikë.  Autoriteti administrativ ose politik i cili nuk ndjek këtë rekomandim ose mendim duhet të paktën të jetë i detyruar të bëjë të njohura arsyet e tij për refuzimin për t’i ndjekur ato.

            Fjalëzimi i kësaj dispozite të Kartës gjithashtu mundëson organin e pavarur të ndërhyjë ose me një mendim direkt, një mendim zyrtar, një rekomandim, një propozim ose praktikisht një vendim.

            U ngrit çështja e anëtarësisë së organit të pavarur.  Karta në këtë pikë parashikon që të paktën gjysma e anëtarëve të organit duhet të jenë gjyqtarë të zgjedhur nga kolegët e tyre çka do të thotë që ajo as nuk u lejon gjyqtarëve të jenë në pakicë as nuk kërkon që ata të jenë në shumicë.  Duke patur parasysh konceptet dhe debatet filozofike në Shtetet europiane, një referencë për një minimum prej 50% gjyqtarë doli si e aftë për të siguruar një nivel bukur të lartë garancie ndërkohë që respekton çdo konsideratë tjetër parimore që mbizotëron në sisteme të ndryshme kombëtare.

            Karta shpall që gjyqtarët që janë anëtarë të organit të pavarur duhet të zgjidhen nga kolegët e tyre, me arsye se pavarësia e nevojshme e këtij organi përjashton zgjedhjen ose emërimin e anëtarëve të tij nga një autoritet politik që i përket ekzekutivit ose legjislaturës.

            Do të ketë një rrezik për tendencë partie-politike në emërimin dhe rolin e gjyqtarit sipas kësaj procedure.  Nga gjyqtarët që janë anëtarë të organit të pavarur pritet, pikërisht, të mos kërkojnë favor nga partitë politike ose organet, që janë në vetevete të emëruara nga ose nëpërmjet partive të tilla.

            Së fundi, pa insistuar në ndonjë sistem votimi të veçantë, Karta indikon që metoda për të zgjedhur përfaqësuesit e gjyqtarëve në këtë organ duhet të garantojë përfaqësimin më të gjerë të gjyqtarëve.

1.4       Karta mishëron “të drejtën e ankimit” të çdo gjyqtari/eje që konsideron se të drejtat e tij/saj sipas statutit ose më në përgjithësi pavarësia e tij/saj, ose ajo e procesit ligjor, kërcënohet ose shkelet në çfarëdo mënyre, kështu që ai ose ajo të mund t’ja referojë çështjen një organi të pavarur siç përshkruhet më lart.

            Kjo do të thotë që gjyqtarët nuk janë lënë të pambrojtur kundrejt një shkeljeje të pavarësisë së tyre.  E drejta e ankimit është një garanci e nevojshme sepse parashtrimi i parimeve për mbrojtjen e gjyqësorit nuk do të ishte veçse një dëshirë e shprehur në rast se nuk mbështetej në mënyrë të vendosur me mekanizma për të garantuar realizimin e tyre efektiv.  Ndërhyrja e organit të pavarur përpara se të merret ndonjë vendim për statusin individual të gjyqtarit/es nuk mbulon domodoshmërisht të gjitha situatat e mundshme në të cilat pavarësia e tij/saj ndikohet dhe është jetike të sigurohet që gjyqtarët të mund t’i adresohen këtij organi me inisiativën e tyre.

            Karta parashikon që organi të cilit i dërgohen këto adresime duhet të ketë kompetencën të rivendosë vetë situatën që ndikon në pavarësinë e gjyqtarit/es, ose të propozojë që atë ta rivendosë organi kompetent.  Kjo formulë merr parasysh ndryshueshmërinë e sistemeve kombëtare dhe madje një rekomandim direkt nga një organ i pavarur për një situatë të caktuar jep një nxitje të konsiderueshme për autoritetin në fjalë që të rivendosë situatën për të cilën bëhet ankim.

1.5       Karta parashtron detyrat kryesore të gjyqtarit/es në ushtrimin e funksioneve të tij/saj.  “Disponibiliteti” i referohet si kohës së kërkuar për t’i gjykuar çështjet siç duhet ashtu edhe vëmëndjes dhe syçelëtisë që natyrisht kërkohen për detyra të tilla të rëndësishme, meqënëse është vendimi i gjykatësit ai që garanton të drejtat individuale.  Respekti për individët është veçanërisht jetik në pozita pushteti të tilla si ajo e një gjyqtari/eje, veçanërisht sepse individët shpesh ndjehen shumë vulnerabël kur përballen me sistemin gjyqësor.  Ky paragraf përmend gjithashtu edhe detyrimin e gjyqtarit për të respektuar konfidencialitetin e informacionit që vjen në vëmëndjen e tij/saj gjatë procesit.  Ai përfundon duke vënë në dukje se gjyqtarët duhet të sigurojnë që të ruajnë nivelin e lartë të kompetencës që kërkon gjykimi i çështjeve.  Kjo do të thotë që niveli i lartë i kompetencës dhe aftësisë është një kërkesë konstante për gjyqtarin/en në shqyrtimin dhe gjykimin e çështjeve dhe gjithashtu që ai ose ajo duhet ta ruajnë këtë nivel të lartë, në se është e nevojshme nëpërmjet trainimit të mëtejshëm.  Siç vihet në dukje më poshtë në tekst, gjyqtarëve duhet t’u jepet akses në trainime.

1.6       Karta e bën të qartë se Shteti ka detyrën që të sigurojë që gjyqtarët të kenë mjetet e nevojshme për të kryer siç duhet detyrat e tyre dhe veçanërisht për t’u marrë me çështjet brenda një afati të arsyeshëm.

            Pa shprehjen e qartë të këtij detyrimi që është përgjegjësi e Shtetit, justifikimet e dispozitave lidhur me përgjegjësinë e gjyqtarëve do të ndryshonin.

1.7       Karta njeh rolin e shoqatave profesionale të krijuara nga gjyqtarët, në të cilat janë të lirë të anëtarësohen të gjithë gjyqtarët, të cilat përjashtojnë çdo formë diskriminimi ligjor ndaj të drejtës për t’u anëtarësuar në to.  Ajo gjithashtu vë në dukje se shoqata të tilla kontribuojnë ve,anërisht në mbrojtjen e të drejtave statutore të gjyqtarëve para autoriteteve dhe organeve që mund të përfshihen në vendime që ndikojnë mbi ta.  Gjyqtarët pra nuk mund të ndalohen të formojnë ose të anëtarësohen në shoqata profesionale.

            Ndonëse Karta nuk u jep këtyre shoqatave përgjegjësi përjashtimore për të mbrojtur të drejtat statutore të gjyqtarëve, ajo shprehet që kontributi i tyre në mbrojtje të tillë para autoriteteve dhe organeve të përfshira në vendime që ndikojnë mbi gjyqtarët duhet të njihen dhe respektohen.  Kjo zbatohet, ndër të tjera, për autoritetin e pavarur të përmendur në paragrafin 1.3.

1.8       Karta parashikon që gyqtarët duhet të shoqërizohen nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, veçanërisht të atyre që janë anëtarë të autoritetit të përmendur në paragrafin 1.3, dhe nëpërmjet shoqatave profesionale, me çfarëdo vendimesh për administrimin e gjykatave, përcaktimin e burimeve buxhetore të gjykatave dhe zbatimin e vendimeve të tilla në plan lokal dhe kombëtar.

            Pa mbështetur ndonjë formë ose masë shtrëngimi të veçantë ligjore, kjo dispozitë parashtron që gjyqtarët duhet të shoqërizohen në përcaktimin e buxhetit të përgjithshëm gjyqësor dhe të burimeve të caktuara për gjykatat individuale, gjë që nënkupton krijimin e procedurave të konsultimit ose përfaqësimit në nivele lokale dhe kombëtare.  Kjo zbatohet gjithashtu më në përgjithësi në administrimin e drejtësisë dhe të gjykatave.  Karta nuk parashikon që gjyqtarët duhet të jenë përgjegjës për një administrim të tillë, por ajo u kërkon atyre të mos lihen jashtë vendimeve administrative.

            Konsultimi i gjyqtarëve nëpërmjet përfaqësuesve të tyre ose shoqatave profesionale për çfarëdo ndryshimi të propozuar në statutin e tyre ose çdo ndryshim të propozuar lidhur me bazën mbi të cilën ata do të paguhen, ose lidhur me mbrojtjen sociale, duke përfshirë pensionin e pleqërisë, duhet të sigurojë që gjyqtarët nuk janë lënë jashtë procesit të vendim-marrjes në këto fusha.  Megjithatë, Karta nuk autorizon shkeljen e kompetencave vendim-marrëse që i janë dhënë organeve kombëtare përgjegjëse për këto çështje sipas Kushtetutës.

2.         PËRZGJEDHJA, REKRUTIMI DHE TRAINIMI FILLESTAR

2.1       Kandidatët për gjyqtar/e duhet të përzgjidhen dhe të rekrutohen nga një organ ose juri e pavarur.  Karta nuk kërkon që kjo e fundit të jetë autoriteti i pavarur i përmendur në paragrafin 1.3, që do të thotë, p.sh., se mund të përdoren juri provimi ose përzgjedhjeje, me kusht që ato të jenë të pavarura.  Në praktikë, procedura e përzgjedhjes është shpesh e ndarë nga vetë procedura e emërimit.  Është e rëndësishme të specifikohen garancitë e veçanta që shoqërojnë procedurën e përzgjedhjes.

            Zgjedhja e bërë nga organi përzgjedhës duhet të bazohet në kritere lidhur me natyrën e detyrave që do të kryhen.

            Qëllimi kryesor duhet të jetë të vlerësohet aftësia e kandidatit të vlerësojë në mënyrë të pavarur çështjet e dëgjuara nga gjyqtarët, që nënkupton mendimin e pavarur.  Aftësia për të treguar paanësi në ushtrimin e funksioneve gjyqësore është gjithashtu një element thelbësor.  Aftësia për të zbatuar ligjin ka të bëjë si me njohjen e ligjit ashtu edhe me aftësinë për ta zbatuar atë në praktikë, që janë dy gjëra të ndryshme.  Organi përzgjedhës duhet gjithashtu të sigurojë që sjellja e kandidatëve do të bazohet në respektin për dinjitetin njerëzor, që është jetike në kontaktet ndërmjet personave në pozitë dhe palëve në mosmarrëveshje, të cilët janë shpesh njerëz në vështirësi të mëdha.

            Së fundi, përzgjedhja nuk duhet të bazohet në kritere diskriminuese lidhur me gjininë, origjinën etnike ose shoqërore, mendimet politike ose filozofike ose bindjet fetare.

2.2       Në mënyrë që të sigurohet aftësia për të kryer detyrat e përfshira në funksionin gjyqësor, rregullat e përzgjedhjes dhe rekrutimit duhet të parashikojnë kërkesa lidhur me kualifikimet dhe përvojën paraprake.  Kjo zbatohet për shembull në sistemet ku rekrutimi kushtëzohet me një numër vitesh përvoje juridike ose gjyqësore.

2.3       Natyra e funksionit gjyqësor, e cila i kërkon gjyqtarit të ndërhyjë në situata komplekse që janë shpesh të vështira lidhur me respektin për dinjitetin njerëzor, është e tillë që verifikimi “abstrakt” për një funksion të tillë nuk mjafton.

            Pra kandidatët e përzgjedhur për të kryer funksione gjyqësore duhet të përgatiten për detyrën nëpërmjet trainimit të përshtatshëm, i cili duhet të financohet nga Shteti.

            Duhet të merren disa masa paraprake për përgatitjen e gjyqtarëve për të dhënë vendime të pavarura dhe të paanëshme, në të cilat kompetenca, paanësia dhe mendje-gjerësia e kërkuar të jenë të garantuara si në përmbajtjen e programeve të trainimit edhe në funksionimin e strukturave që i zbatojnë ato.  Është për këtë që Karta parashikon që autoriteti i përmendur në paragrafin 1.3 duhet t’sigurojë përshtatshmërinë e programeve të trainimit dhe të strukturës që i zbaton ato, në dritën e kërkesave të mendje-gjerësisë, kompetencës dhe paanësisë që janë të lidhura me ushtrimin e detyrave gjyqësore.  Autoriteti duhet të ketë burimet për t’i siguruar këto.  Në përputhje me këtë, rregullat e parashtruara në statut duhet të specifikojnë procedurën për mbikqyrjen nga ky organ lidhur me kërkesat në fjalë përsa i përket respektimit të programeve dhe zbatimit të tyre nga strukturat trainuese.

3.         EMËRIMI DHE MOSHEQJA

3.1       Sistemet kombëtare mund të bëjnë dallimin ndërmjet procedurës aktuale të përzgjedhjes nga procedurat e emërimit të një gjyqtari/eje dhe të caktimit të një gjyqtari/eje në një gjykatë të caktuar.  Duhet të vihet re që vendimet për të emëruar ose caktuar gjykatës merren nga autoriteti i pavarur i përmendur në paragrafin 1.3 këtu më lart ose me propozimin ose rekomandimin e tij ose me miratimin e tij ose pas mendimit të tij.

3.2       Karta trajton problemet e mospërputhshmërisë.  Ajo hodhi poshtë hipotezën e mospërputhshmërisë absolute sepse kjo do të pengonte emërimet gjyqësore me motivin e veprimtarive të mëparëshme të kandidatëve ose të afërmve të tyre.  Nga ana tjetër, ajo konsideron që kur një gjyqtar/e do të caktohet në një gjykatë të caktuar, duhet të mbahen parasysh rrethanat e lartpërmendura, kur ato ngrenë dyshime legjitime dhe objektive lidhur me paanësinë dhe pavarësinë e tij/saj.

            Për shembull, një avokat/e që më parë ka ushtruar profesionin në një qytet të caktuar nuk është e mundur të caktohet menjëherë gjyqtar/e në një gjykatë të po atij qyteti.  Është gjithashtu e vështirë të imagjinohet që një gjyqtar/e të emërohet në një gjykatë në një qytet në të cilin bashkëshorti/ja, nëna ose baba i tij/saj, p.sh., është kryetar/e bashkie ose anëtar/e parlamenti.  Pra, kur gjyqtari/ja do të caktohet në një gjykatë të caktuar, statuti përkatës duhet të marrë parasysh situata që ka të ngjarë të ngrenë dyshime legjitime dhe objektive lidhur me pavarësinë dhe paanësinë e tij/saj.

3.3       Procedura e rekrutimit në disa sisteme kombëtare parashikon për një periudhë provë para se të bëhet emërimi i përhershëm gjyqësor dhe të tjerë i rekrutojnë gjyqtarët me afat të caktuar dhe me kontrata të rinovueshme.

            Në këto raste vendimi për të mos bërë një emërim të përhershëm ose për të mos rinovuar një emërim mund të merret vetëm nga autoriteti i përmendur në paragrafin 1.3 këtu më lart ose me propozimin, rekomandimin e tij ose pas mendimit të tij.  Është e qartë që ekzistenca e periudhave të provës ose e kërkesave të rinovimit paraqet vështirësi, në se jo rreziqe, nga këndvështrimi i pavarësisë dhe paanësisë i gjyqtarit/es në fjalë, i cili shpreson të vendoset në një pozitë ose t’i rinovohet kontrata.  Pra duhet të jepen garanci nëpërmjet ndërhyrjes së autoritetit të pavarur.  Kur cilësia si gjyqtar/e e një individi i/e cili/a i është nënshtruar periudhës së provës mund të jetë në diskutim, Karta parashikon që e drejta për t’ju referuar një autoriteti të pavarur, siç përmendet në paragrafin 1.4, është e zbatueshme për një individ të tillë.

3.4       Karta mishëron mosheqjen e gjyqtarëve, që do të thotë që një gjyqtar/e nuk mund të caktohet në një gjykatë tjetër ose t’i ndryshohen detyrat e tij/saj pa miratimin e tij/saj të lirë.  Sidoqoftë, përjashtime duhet të lejohen kur transferimi parashikohet brenda një kuadri disiplinor, kur bëhet një riorganizim i ligjshëm i sistemit të gjykatave që përfshin për shembull mbylljen e një gjykate ose kërkohet një transferim i përkohshëm për të ndihmuar një gjykatë fqinjë.  Në këtë rast të fundit, kohëzgjatja e transferimit të përkohshëm duhet të kufizohet nga statuti përkatës.  Megjithatë, me që problemi i transferimit të një gjyqtari/eje pa miratimin e tij/saj është shumë i ndjeshëm, kujtojmë që sipas kushteve të paragrafit 1.4 ai/ajo ka një të drejtë të përgjithëshme për t’u ankuar te një autoritet i pavarur, i cili mundet të hetojë legjitimitetin e transferimit.  Në fakt, kjo e drejtë ankimi mundet gjithashtu të rivendosë situata të cilat nuk janë trajtuar specifikisht në Kartë kur një gjyqtar/e ka një ngarkesë kaq të tepërt sa që të mos jetë praktikisht në gjendje që të kryejë përgjegjësitë e tij/saj normalisht.

4.         ZHVILLIMI I KARRIERËS

4.1       Krahas rasteve kur gjyqtarët ngrihen në pozitë në bazë të vjetërsisë në shërbim, sistem ky që Karta nuk e përjashtoi aspak sepse mendohet se ofron një mbrojtje shumë efektive për pavarësinë, por i cili presupozon që rekrutimi me cilësi të lartë është garantuar në mënyrë absolute në vendet në fjalë, është e rëndësishme të sigurohet që pavarësia dhe paanësia e gjyqtarëve nuk shkelen në fushën e ngritjes në pozitë.  Duhet specifikuar se ka dy probleme potenciale këtu: gjyqtarë që pengohen në mënyrë ilegjitime nga ngritja në pozitë dhe gjyqtarë të ngritur në pozitë pa të drejtë.

            Është për këtë që Karta përcakton kriteret për ngritjen në pozitë përjashtimisht si cilësitë dhe meritat në kryerjen e detyrave gjyqësore të vëna re me anë të vlerësimeve objektive të bëra nga një ose më shumë gjyqtarë dhe të diskutuara me gjyqtarin/en e vlerësuar.

            Vendimet lidhur me ngritjen në pozitë merren më tej në bazë të këtyre vlerësimeve në dritën e propozimeve nga autoriteti i pavarur i përmendur në paragrafin 1.3 këtu më lart, ose me rekomandimin ose miratimin e tij ose pas mendimit të tij.  Parashikohet shprehimisht që një gjyqtar/e, ngritja në pozitë e të cilit/ës i propozohet për shqyrtim autoritetit të pavarur, duhet të ketë të drejtën të paraqesë rastin e tij/saj përpara atij autoriteti.

            Dispozitat e paragrafit 4.1 qartësisht nuk synojnë të zbatohen në sisteme ku gjyqtarët nuk ngrihen në përgjegjësi, dhe ku nuk ka hierarki gjyqësore, sisteme të cilat janë gjithashtu në këtë drejtim shumë mbrojtëse për pavarësinë e gjyqësorit.

4.2       Karta trajton këtu veprimtaritë e kryera krahas funksioneve gjyqësore.  Ajo parashikon që gjyqtarët mundet lirisht të ushtrojnë veprimtari jashtë mandatit të tyre gjyqësor, duke përfshirë ato që janë mishërimi i të drejtave të tyre si qytetarë.  Kjo liri, që përbën parimin, mund të mos njohë kufizime përveçse për aq sa gjyqtarët të angazhohen në veprimtari të jashtëme në mospërputhje si me besimin publik në pavarësinë dhe paanësinë e tyre ashtu edhe me disponibilitetin për të shqyrtuar çështjet që u janë paraqitur atyre me kujdesin e duhur dhe brenda një afati të arsyeshëm.  Karta nuk specifikon ndonjë tip të veçantë veprimtarie.  Efektet negative të veprimtarive të jashtme mbi kushtet në të cilat kryhen detyrat gjyqësore duhet të vlerësohen në mënyrë pragmatike.  Karta parashikon që gjyqtarët duhet të kërkojnë autorizim për t’u angazhuar në veprimtari, përveç atyre ato letrare e artistike, kur ato paguhen.

4.3       Karta trajton çështjen e asaj që ndonjëherë quhet “rezervim gjyqësor”.  Ajo merr një qëndrim që rrjedh nga Neni 6 i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut lidhur me të, duke përcaktuar se gjyqtarët duhet të rezervohen ndaj çdo sjelljeje, veprimi ose shprehjeje që ka të ngjarë të ndikojë besimin publik në paanësinë ose pavarësinë e tyre.  Referenca te rreziku që ky besim mund të minohet parandalon çdo rigorozitet të tepruar që do të rezultonte në mënjanimin social ose qytetar të gjyqtarit/es.

4.4       Karta përcakton “të drejtën e gjyqtarit/es për trainim të vazhdueshëm”: ai ose ajo duhet të ketë akses të rregullt në kurse trainimi të organizuara me shpenzime publike, që synojnë të sigurojnë që gjyqtarët të mund të ruajnë dhe përmirësojnë mjeshtëritë e tyre teknike, sociale dhe kulturore.  Shteti duhet të sigurojë që këto programe trainimi të organizohen që të respektojnë kushtet e parashikuara në paragrafin 2.3, që lidhen me rolin e autoritetit të pavarur të përmendur në paragrafin 1.3, në mënyrë që të garantohet përshtatshmëria e përmbajtjes së kurseve të trainimit dhe e funksionimit të organeve që zbatojnë këto kurse, me kërkesat e mendje-gjerësisë, kompetencës dhe paanësisë.

            Përkufizimi i këtyre garancive të parashikuara në paragrafet 2.3 dhe 4.4 për trainimin është shumë fleksibël, duke i lejuar ato të përshtaten me sistemet e ndryshme kombëtare të trainimit: kolegje trainimi të administruara nga Ministria e Drejtësisë, institute që veprojnë nën këshillin e lartë të gjyqtarëve, fondacione private të së drejtës, etj.

5.         PËRGJEGJËSIA

5.1       Karta trajton këtu përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve.  Ajo fillon me një referencë te parimi i i ligjshmërisë së sanksioneve disiplinore, duke parashtruar se e vetmja arsye e vlefshme për të vendosur sanksione është moskryerja e njërës nga detyrat e përcaktuara shprehimisht në Statutin e Gjyqtarëve dhe se shkalla e sanksioneve të zbatueshme duhet të parashikohet në Statutin e Gjyqtarëve.  Për më tepër, Karta parashtron garanci për seancat disiplinore: sanksionet disiplinore mundet të vendosen vetëm në bazë të vendimeve të marra pas një propozimi ose rekomandimi ose me miratimin e një gjykate ose autoriteti, ku të paktën gjysma e anëtarëve duhet të jenë gjyqtarë të zgjedhur.  Gjyqtari/ja duhet të dëgjohet plotësisht dhe të ketë të drejtën e përfaqësimit.  Në se sanksioni në fakt vendoset, ai duhet të zgjidhet nga një shkallë sanksionesh, duke patur parasysh siç duhet parimin e përpjestueshmërisë.  Së fundi, Karta parashikon të drejtën e ankimit te një autoritet më i lartë gjyqësor kundër çdo vendimi për të vendosur sanksion të marrë nga një autoritet ekzekutiv, gjykatë ose organ, ku të paktën gjysma e anëtarëve janë gjyqtarë të zgjedhur.

            Fjalëzimi aktual i kësaj dispozite nuk kërkon që kjo e drejtë për ankim të ushtrohet kundër një sanksioni të vendosur nga parlamenti.

5.2       Këtu Karta trajton përgjegjësitë civile dhe monetare të gjyqtarëve.  Ajo vendos parimin që do të paguhet kompensim nga Shteti për dëme që janë pësuar si rezultat i sjelljes së gabuar të gjyqtarit ose ushtrimin e paligjshëm të funksioneve të tij/saj ndërkohë që vepron si gjyqtar/e. Kjo do të thotë se është Shteti i cili është në çdo rast garantues i kompensimit të viktimës për këtë dëm.

            Duke specifikuar që kjo garanci e Shtetit zbatohet për dëme të pësuara si rezultat i një sjelljeje të gabuar të gjyqtarit/es ose ushtrimit të paligjshëm të funksioneve të tij/saj, Karta nuk përmend domosdoshmërisht natyrën e gabuar ose të paligjshme të sjelljes ose të ushtrimit të funskioneve, por më shumë thekson dëmin e pësuar si rezultat i natyrës “së gabuar” ose “të paligjshme”.  Kjo është plotësisht në përputhje me përgjegjësinë të bazuar jo mbi keqsjelljen e gjyqtarit/es, por mbi natyrën serioze, speciale dhe anormale të dëmit që ka rezultuar nga sjellja e tij/saj e gabuar ose nga ushtrimi i paligjshëm i funksioneve.  Kjo është e rëndësishme në dritën e shqetësimeve që pavarësia gjyqësore e gjyqtarëve nuk do të ndikohet nga një sistem i përgjegjësive civile.

 

            Karta parashikon gjithashtu që, kur dëmi që duhej të garantonte Shteti është rezultat i një shkeljeje të rëndë dhe të pafalshme të rregullave që qeverisin kryerjen e detyrave gjyqësore, statuti mund t’i japë Shtetit mundësinë që të fillojë proces ligjor me synimin që t’i kërkojë gjyqtarit/es rimbursim për kompensimin e paguar brenda një kufiri të përcaktuar me statut. Kërkesa për neglizhencë të rëndë dhe të pafalshme dhe natyra ligjore e procesit për të marrë rimbursimin duhet të përbëjnë garanci të konsiderueshme që të mos abuzohet me këtë proces. Një garanci shtesë jepet nëpërmjet miratimit paraprak që autoriteti i përmendur në paragrafin 1.3 duhet të japë para se pretendimi të paraqitet në gjykatën kompetente.

5.3       Këtu Karta sheh çështjen e ankimeve nga publiku për keqadministrimin e drejtësisë.

            Shtetet kanë organizuar procedurat e tyre të ankimit në masa të ndryshme dhe këto nuk janë gjithnjë të organizuara mirë.

            Ja përse Karta parashikon që të jetë e hapur mundësia për një individ të bëjë një ankesë për keqadministrim të drejtësisë për një çështje të caktuar te një organ i pavarur, pa u dashur të respektohen formalitete specifike. Në se shqyrtimi i plotë dhe i kujdesshëm nga një organ i tillë do të nxirrte në pah një shkelje disiplinore prima facie të qartë nga një gjyqtar/e, organi në fjalë do të ketë kompetencën t’ja referojë çështjen autoritetit disiplinor që ka juridiskion mbi gjyqtarët, ose të paktën një organi kompetent, sipas rregullave të statutit kombëtar, që ta bëjë këtë referim. As ky organ as ai autoritet nuk do të shtrëngohen të miratojnë të njëjtin mendim si organi ku u bë ankesa. Në përfundim ka garanci të vërteta kundër rrezikut që procedura e ankimit të devijohet nga ata që do të gjykohen, që në të vërtetë dëshirojnë të ushtrojnë presion mbi sistemin e drejtësisë.

            Organi i pavarur në fjalë nuk do të jetë domosdoshmërisht i ngritur veçanërsiht për të verifikuar në se gjyqtarët kanë kryer shkelje.  Gjyqtarët nuk kanë monopol kundër keqadministrimit të drejtësisë.  Pra do të ishte e imagjinueshme që vetë ky organ i pavarur ngjashmërisht t’ia referojë çështjet, kur e konsideron një referim të tillë të justifikuar, autoritetit disiplinor që ka juridiksion, ose organit përgjegjës për të nisur proces kundër gjyqtarëve, nëpunësve të gjykatës, etj.

            Sidoqoftë, Karta, që ka të bëjë me statutin e gjyqtarëve, duhet të mbulojë në hollësi më të mëdha vetëm çështjen e referimit lidhur me gjyqtarët.

6. PAGA DHE MBROJTJA SOCIALE

            Dispozitat nën këtë titull kanë të bëjnë vetëm me gjyqtarët profesionistë.

6.1       Karta parashikon që ushtrimi profesional i funksioneve gjyqësore i jep të drejtën gjyqtarit/es për një pagë, niveli i së cilës duhet të caktohet në mënyrë që t’i mbrojë ata nga presionet që synojnë të ndikojnë vendimet e tyre ose sjelljen gjyqësore në përgjithësi, duke dëmtuar pavarësinë dhe paanësinë e tyre.

            U duk e preferueshme të deklarohej që niveli i pagës duhet të jetë i tillë që t’i mbrojë gjyqtarët nga presionet, se sa të parashikohej që ky nivel të përcaktohet nga referancat me pagat që u jepen mbajtësve të pozitave të larta në legjislaturë ose në ekzekutiv, meqënëse mbajtësit e këtyre pozitave janë larg trajtimit në baza të krahasueshme në sistemet e ndryshme kombëtare.

6.2       Niveli i pagës së një gjyqtari/eje krahasuar me një tjetër duhet t’i nënshtrohet ndryshimeve që varen nga vjetërsia në shërbim, natyra e detyrave që u ngarkohen për të kryer dhe rëndësia e punëve që u ngarkohen, si për shembull punë në fundjavë.  Sidoqoftë, ato punë që justifikojnë pagë më të lartë duhet të vlerësohen në bazë të kritereve transparente, në mënyrë që të evitohen ndryshime në trajtim të pa lidhura me konsiderata për punën e bërë dhe disponibilitetin e kërkuar.

6.3       Karta parashikon që gjyqtarët të përfitojnë nga sigurimi shoqëror, d.m.th. mbrojtja kundër rreziqeve të zakonshme sociale, si sëmundjet, barrëlindja, invaliditeti, mosha e vjetër dhe vdekja.

6.4       Ai specifikon në këtë kontekst se gjyqtarët që kanë arritur moshën ligjore të pensionit gjyqësor pasi kanë kaluar kohën e nevojshme si gjyqtarë duhet të përfitojnë nga pagesa e një pensioni pleqërie, niveli i të cilit duhet të jetë sa më pranë të jetë e mundur me nivelin e pagës së tyre të fundit si gjyqtar/e.

7.         PUSHIMI I FUNKSIONEVE

7.1       Duhet ushtruar vigjilencë për kushtet në të cilat përfundohet punësimi i një gjyqtari/eje.  Është e rëndësishme të parashtrohet një listë shterruese të motiveve të përfundimit të punësimit.  Këto janë kur një gjyqtar/e jep dorëheqjen, vërtetohet mjekësisht se është fizikisht i/e papërshtatshëm/me për funksione të mëtejshme gjyqësore, arrin kufirin e moshës, arrin në fund të një funksioni me afat të caktuar ose shkarkohet në kontekstin e një përgjegjësie disiplinore.

7.2       Me ndodhjen e njërës nga ngjarjet që janë motiv për përfundimin e punësimit përveç atyre – si arritja e kufirit të moshës ose fundi i një funksioni me afat të caktuar – të cilat mund të verifikohen me lehtësi, ato duhet të verifikohen nga autoriteti i përmendur në paragrafin 1.3.  Ky kusht realizohet lehtë kur pushimi i funksioneve rezulton nga një shkarkim i vendosur pikërisht nga ky autoritet ose me propozimin ose rekomandimin e tij, ose me miratimin e tij.